Dita ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj grave
Me rastin e Ditës ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj grave 2021, Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe rrjeti i saj me jashtë përqafojnë fushatën sensibilizuese “Orange the World: End Violence against Women Now!” të ndërmarrë nga UN Women e cila, këtë vit, i kushtohet parandalimit të çdo lloj forme të dhunës, asistencës për viktimat dhe kundërvënies ndaj sjelljeve shoqërore diskriminuese dhe promovimit të një barazie gjinore efikase.
Pandemia nga Covid-19 dhe masat e ndërmarra të lockdown-it i kanë rënduar më tej kushtet e brishta ekzistuese si edhe kanë nxitur në mënyrë të ndjeshme shtimin e rasteve të dhunës në familje dhe të abuzimeve ndaj grave e vajzave në raste të konflikteve të armatosura dhe të krizave humanitare.
Përballë këtyre të dhënave alarmuese, Italia shpreh, edhe një herë, me forcë kundërshtimin e çdo lloj forme diskriminimi dhe dhune ndaj grave, fenomen i papranueshëm dhe një pengesë serioze në arritjen e barazisë gjinore, në gëzimin e plotë të të drejtave dhe në realizimin në planin personal.
Deri më sot, asnjë Vend në botë nuk mund të thotë se ka arritur plotësisht barazinë gjinore: i gjithë komuniteti ndërkombëtar duhet, pra, të ndjekë me vendosmëri dhe bindje të plotë këtë objektiv nga i cili nuk mund të hiqet dorë.
Objektivat për eliminimin e çdo lloj forme dhune ndaj grave dhe fuqizimin e gruas, shtylla veprimi të politikës së jashtme italiane, kanë qenë në qendër të Kryesimit italian të G20 dhe përbëjnë një nga përparësitë e mandatit italian në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara dhe të gjashtëmujorit të Kryesimit italian të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, në kuadër të të cilit Italia mbështet dhe promovon “Konventën mbi parandalimin dhe luftën ndaj dhunës kundër grave dhe dhunës në familje” (ose “Konventa e Stambollit”).
Ky angazhim ka gjetur zbatim edhe në rolin aktiv që Italia ka luajtur, në përballimin e krizës në afganistan, në mbrojtjen dhe në promovimin e të drejtave të grave dhe vajzave afgane, në mbrojtje të së drejtës së tyre për t’u arsimuar, të lirisë së lëvizjes dhe të pjesëmarrjes aktive në jetën shoqërore.
Përsa i përket organizimit të brendshëm të metodave të punës së Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, me qëllimin për të garantuar mundësi të barabarta gjinore, më 15 tetor është miratuar Qarkorja nr. 3/2021, me anë të së cilës kjo Ministri u përmbahet standarteve më të larta të promovimit të barazisë gjinore, duke vënë theksin në nevojën për të garantuar, në punën e përditshme, zbatimin konkret të parimit kushtetues të barazisë, si përsa i përket ndalimit të diskriminimit, ashtu edhe përsa i përket promovimit aktiv të një barazie reale.